Showing posts with label Shkrimet. Show all posts
Showing posts with label Shkrimet. Show all posts

Thursday, October 5, 2017

Rëfen inxhinier Irakli Premti


Unë, gjeologu i katër kontinenteve, nga Bulqiza në Itali, në Kongo dhe Amerikë
Intervistoi Dukagjin HATA
-Diçka për jetën tuaj dhe të famljes suaj?
-Kam lindur në një familje të pasur, me tradita atdhetare dhe mikpritje të rrallë, në një fshat të Sarandës, para shtatëdhjetë viteve. Kam jetuar dy sistemet shoqërore, diktaturën e demokracinë dhe kam punuar si gjeolog e kryetar ekspeditash gjeologjike, në njëzet rrethe të Shqipërisë, në njëqind fshatra të vendit, si dhe në dymbëdhjetë shtete të huaja e në katër kontinente.





Për herë të parë, kur kam hapur sytë në këtë jetë kam parë tokën dhe qiellin e Nivicës, atë vend të bekuar nga Zoti, në gji të detit e të malit, një perlë e natyrës bujare dhe kompozim brilant i Krijuesit. Kam parë shtëpinë e Premteve, vendosur diku në cep të këtij fshati bregdetar të Jugut, që dallohet për vlera të shumta qytetare e njerëzore..
Nëna më thoshte se kam qenë një fëmijë i dobët dhe i prapë, që nuk lija dy gurë bashkë, por mjaft i zgjuar. Me moshatarët sillesha si më i rritur, ndaj më bindeshin dhe më respektonin, pasi iu imponohesha me sjelljen time, si të isha i rritur. Kur luaja, jepesha i tëri pas lojës, sikur nuk ekzistonte gjë tjetër në botë. Futbolli ishte pasioni im, luaja gjithë ditën me top llastiku, të cilin ma kishte sjellë babai nga Saranda dhe unë nuk e lëshoja nga dora. Ndoshta topi që kisha ishte arsyeja që i tërhiqja vërsnikët drejt meje si mjalti mizat, pasi në atë kohë askush nuk kishte një top të tillë. Me futbollin do të lidhesha ngushtësisht më vonë, duke qenë si futbollist pjesë e ekipeve kombëtare dhe para disa viteve pjesë e menaxhimit dhe administrimit të tij.
Kur fillova të rritesha disi, aq sa të ndaja realitetin nga ëndrrat dhe iluzionet, dëgjoja rrëfimet e tim eti mbi fatin e familjes sonë.  Babai i kishte dëgjuar këto nga i ati e kështu me radhë, breza pas brezi, kishte qarkulluar historia e derës sonë.
Sipas rrëfimit të gjysh-stërgjyshërve të mi, të ardhur gojë më gojë deri në ditët tona, Premtët kanë ardhur nga Izreali, para 400-500 vjetësh, gjatë dyndjes së hebrenjve në Europë dhe veçanërisht në Ballkan për shkak të persekutimeve të asaj kohe, që do të vazhdonin edhe në kohëra të mëvonshme.
Stërgjyshi dhe vëllezërit  e mi kishin shumë bagëti, kryesisht dele, të cilat gjatë muajvetë dimrit i çonin në treva me klimë më të butë për t’i dimëruar. Një nga këto vise, ku të parët e mi kalonin dimrin me dele, që shkonin deri në 1 mijë kokë, ishte Saranda e kryesisht Nivica, për shkak të kullotave të pasosura që favorizonte klima e butë e detit.
Në fillim Premtët janë vendosur në Greqi, pastaj kanë ardhur në Shqipëri ku kanë ngulur themelt në Kolonjë. Në Nivicë të parët e mi janë ngulitur përfundimisht ku kanë pasur shumë toka e prona, për të cilat xhaxhai im u shpall kulak.

-Ju më thatë se xhaxhain e keni pasur partizan, si e shpallën kulak?

-Po, ka qenë partizan, bile zv/komandant i batalionit të Bregdetit. Kur  u rrethua Kongresi i Përmetit nga forcat naziste dhe kolaboracioniste, me urdhër të xhaxhait tim, familja jonë dorëzoi 200 kokë dele, të cilat u therën për të ushqyer delegatët e rrethuar dhe partizanët që i ruanin. Si shpërblim, pas çlirimit, e bënë kulak dhe ne vuajtëm pasojat e gjithë kësaj historie.

-Për çfarë pasojash e keni fjalën?

-Kur vajta në shkollë të lartë, vajta me njëqind mundime, se nuk donin ata të fshatit, se më quanin pasardhës kulaku. Tre herë më kanë larguar nga Shkolla e lartë, nga Fakulteti i Gjeologji Minierave dhe të trija herët jam kthyer me ndërhyrjen e figurave politike dhe shtetërore të asaj kohe. Kur më largonin nuk më përmendnin biografinë, por unë e kuptoja. Përfundimish e përfundova fakultetin në vitin 1967, me rezultate të shkëlqyera, por shumë rrallë kthehesha në fshat, në Nivicë, një herë në tre katër vjet, nga frika e luftës së klasës. Më gjurmonin ata të partisë së fshatit, si bijë kulaku, ndërkohë që familja ime kishte dhënë kontribut për Luftën.

-Megjithatë, kjo nuk ju pengoi të bënit karrierë në fushën e Gjeologjisë, ku ju keni mbajtur në atë kohë dhe poste të rëndësishme?

-E kam thënë dhe e them shpesh në biseda me miqtë dhe të njohurit e mi, partia në atë kohë, me një dorë më goditi e me tjetrën më priti. Unë e dija se nuk më pengonte biografia, pasi familja jonë ishte e lidhur me lëvizjen dhe kishte kontribuar në luftë e në ndërtimin e shoqërisë së re, por disa fanatikë të sëmurë, xhelozë e dashkëqinj në fshat, që nuk na donin të mirën.
Falë njohjes me personalitete të shquara të kohës si Presidentin Haxhi Lleshi, ish sekretarin e parë të Dibrës, më vonë ministër i Brendshëm, Hekura Isai, , ish kryeministrit Mehmet Shehu dhe shokun tim të kursit, të nderuarit Llambi Gegëprifti, ia kam dalë t’u shpëtojë shumë kurtheve të kohës, mekanizmave të intrigave e shantazheve, për të cilat do të flasë më vonë.

-Ku filluat punë sapo mbaruat Fakultetin, disa nga mbresat tuaja në fillimet e karrierës në fushën e kërkimeve gjeologjike?

-Më caktuan në Peshkopi, në ndërmarrjen gjeologjike të Dibrës. Kishte shumë punë, ishte trevë me shtrirje të gjërë dhe me resurse të mëdha minerale. Bëra shumë miq dibranë, me të cilët më lidhi një miqësi e qëndrueshme, e cila vazhdon dhe sot. Dibranët shuqhen për mikpritje, besë e burrëri, të huajt i donin dhe i respektonin shumë. Më vonë, në krye të një ekipi gjeologësh riveluam gjithë zonën minerale mbajtëse të Dibrës, nga Dypjaka, gjer në Majën e Pelpenikut.
Në këtë kohë, dua të veçoj një problem që më lindi, për shkak të disa letrave që me sa duket vinin nga fshati, se unë qënkam me biografi, bir kulaku etj. kësaj i shtoheshin dhe disa intriga të kohës, të sajuara nga disa persona me autoritet të plotë në minierën e Bulqizës, që donin të merrnin dekorada, duke sakrifikuar të tjerët, Në këtë rast mua.
Më thërret në zyrë prokurori i Dibrës dhe më bën presion se unë nuk po evidentoja me përgjegjësi rezervat minerale. Ai kishte hall se pse unë kisha deklaruar më shumë rezerva se ç’dëshironin miqtë e tij që drejtonin minierën e Bulqizës, pasi ata donin që të merrnin dekorata e favore, duke spekuluar me sasinë e këtyre rezervave, duke deklruar më pak se ç’kishte në realitet. Ishte punë bërrylash eklanesh, por mund ta haje dhe në fakt prokurori më tha hapur se po të përgatisim letrat për në burg.
I traumatizuar dola, kur për fatin tim, takoj në rrugë Hekuran Isiain, sekretarin e parë të partisë së rrethit. Sa më pa më futi krahun dhe më tha se do të shkojmë në shtëpi, është kohë dreke dhe gruaja ka gatuar fasule. Shkojmë të hamë dhe pimë nga një gotë raki. Doja s’doja, u detyrova të shkoja, pasi ai nuk po ma lëshonte krahun. Aty gjatë drekës gjeta rastin dhe i thashë se më kishte thirrur prokurori në zyrë dhe ia tregova të gjitha. Ai pa e bërë të gjatë u ngrit dhe i telefonoi prokurorit, të cilin e bëri për një lekë, se bënte lojërat e “gropës së Dibrës”, siç u shpreh ai, në kurriz të një specialisti të zotë e të ndershëm, duke bërë presione e duke sajuar gjëra të paqena!
Pas kësaj nuk guxoi të më thërriste më në prokurori, nuk më ra kush në qafë dhe vazhdova punën në Dibër ku qëndrova trembëdhjetë vjet.
Në këto vite kam ecur shumë, maleve e fushave, në kërkim të burimeve të mineralit, kam fjetur në çadra e në shtëpi fshatarësh, dibranë, që më kanë pritur me bujari e dashuri.

-Thatë në fillim se keni pasur kontakte dhe miqësi me disa nga udhëheqësit më të shquar të kohës. A mund të jeni pak më konkretë?

-Gjatë punës në Dibër por dhe më vonë në Tiranë,kam pasur kontakte me Haxhi Lleshin, i cili vinte shpesh në Peshkopi dhe më ka mbajtur afër, duke më inkurajuar dhe ndihmuar. Siç e thashë, me Llambi Gegëpriftin kemi mbaruar bashkë në të njëjtin kurs dhe kemi qenë e kemi mbetur miq të ngushtë, me hyrje dalje familjare. Për të gjithë shqetësimet e kohës, gjatë një epokë vërtet të trazuar, unë vetëm tek ai kisha besim të plotë dhe megjithë pozicionin e lartë politik që ai kishte në PPSh, i drejtohesha sikur ta kisha një vëlla.
Me Mehmet Shehun më lidhi puna, duke qenë një nga vartësit e tij; ai kishte një natyrë pak kapiriçoze, por ishte i drejtë dhe nuk dëmtonte njeri, përkundrazi e përkrahte të aftin. Ai më përkrahu sepse ia dola të realizoja disa projekte në fushën gjeologjike të mbrojtjes, që nuk i merrte askush përsipër. Ish kryeministri, në atë dhe ministrë mbrojtje, ishte pak i rreptë, por i pastër dhe i drejtë dhe unë katër herë që jam takuar me të, për çëstje pune,  kam përshtypje mbresëlënëse rreth figurës së tij.

-Çfarë ndodhi më tej me jetën tuaj, pas transferimit nga Peshkopia?

-Erdha në Tiranë, ku fillimisht fillova punë në ministrinë e Industrisë dhe Minierave, si kryespecialist i kromit. Ministër ishte Pali Miska. Kisha shumë punë, sidomos për kontrollin në terren të zonave eburimeve  krom-mbajtëse, pasi në atë kohë gjetjes dhe shfrytëzimit maksimal të këtyre burimeve iu kushtohej një rëndësi e dorës së parë.
Pastaj më emëruan në Ministrinë e Mbrojtjes, shef i sektorit gjeologjkik. Ishte një punë me shumë përgjegjësi dhe një nga sektorët më strategjikë të ushtrisë popullore. Gjatë takimeve me Mehmet Shehun, që në atë kohë  ishte dhe ministër mbrojtje, më ngakoi disa detyra të vështira, që ishin në juridikson të funksionit tim dhe i kam kryer me sukses.
Në një rast, kur unë e kundërshtova për një projekt të pamundur, që kishte lidhje me disa punime gjeologjike në një zonë strategjike ushtarake, ai më tha, se po nuk e kreve, do të vari këtu në tunel.
“Po qe se partia kërkon që unë të varem, jam gati, shoku kryeministër”, ia ktheva. Ai nuk foli. Ne sapo ishim futur në tunel dhe para meje ecte Kadri Azbiu, i cili u kthye prapa dhe më shtrëngoi dorën në shenjë besimi e konfidence, duke më thënë mos fol. Pasi e pa që situata qe e rrezikshme dhe çdo fjalë e imja më tej mund të kishte pasoja. , Unë e kreva atë detyrë dhe fitova besimin e Mehmet Shehut.
Disa muaj para se ish kryeministri të vriste veten apo të vritej, (ende për këtë çështje nuk janë vënë përfundimisht pikat mbi “i”) më thërret dhe më thotë se do të më çonin për specializim në Itali. Kjo ishte një gjë  e madhe për kohën pasi daljet jashtë shtetit ishin mollë e ndaluar, aq më tepër specializmet. Qëndrova trembëdhjetë vjet vajtje ardhje në Lasapienca dhe në Universitetin e Ferrara, ku punova në projkete gjeologjike, dhashë leksione e seminare me studentë italianë, duke shëtitur me punë e prokjete në pesë qytete të Italisë.
kur u ktheva kishin ndodhur shumë ndryshime të mëdha. Mehmet Shehu kishte vrarë veten apo apo e patën vrarë, Enver Hoxha kishte vdekur, Ramiz Alia kshte ndërruar kurs politik dhe në vend ishin shfaqur shenjat e një krize të fortë ekonomike, që do të sillte me shpejtësi ndryshime të thella politike e sociale në vendin tonë.

-Çfarë ndodhi më tej me jetën tuaj?

-Proceset demokratike i përjetova me gëzim si shumica e intelektualëve dhe profesionistëve, pasi në Diktaturë na u desh të jetonim me kokë në torbë, siç thotë populli, të frikësuar e të traumatizuar nga gjithçka që na rrethonte.
Gjatë qeverisjes së dytë të PS, kur ishte kryeministër Fatos Nano, më thërret Ylli Bufi, atë kohë ministër i linjës sonë dhe më thotë se të kemi projektuar për drejtor të përgjithsëm të gjeologji miinerave.
“Po deshët vini Mehmet Zaçen, -ju thashë, -se unë kam disa kontrata pune me Italinë dhe jo vetëm që jam i zënë, por kjo bie në kundërshtim me postin që më ofroni. Po deshët, mua më bëni nëndrejtor”.
Në fillim z. Bufi këmbënguli që të isha drejtor, por pastaj e pranoi kërkesën time dhe unë u bëra nëndrejtor.
Pas dy vjetësh u bëra drejtor, ndërkohë që isha president i shoqatës kombëtare të gjeologëve të Shqipërisë, anëtar i Gjeoshekncës Europiane dhe anëtar i disa bordeve ndërkombëtare për trajtimin dhe menaxhimin e pasurive minerare.
Në postin e drejtorit të përgjithshëm të Minierave të Shqipërisë kam shkuar me urdhët të Fatos Nanos dhe kam qëndruar gjer në fund të mandatit të tij të dytë qeveritar, bile dhe deri disa muaj pas përfundimit të zgjedhjeve dhe fitores së të djathtës. Gjatë kësaj kohe kam dhënë rreth shtatëqind leje minerare, që do t’i djepnin një zhvillim të hovshëm konkurencës në këtë sektor që deri atëhere dukej krejt i paralizuar.

-Diçka për angazhimin tuaj, pasi u larguat nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Minierave?

-Një farë kohë mbeta pa punë dhe në një gjendje të vështirë ekonomike. Vajzat i kisha në shkollë dhe kishin mjaft shpenzime, ndërsa unë isha pa asnjë burim të ardhurash financiare. Miqtë e mi gjeologë dhe siëprmarrës të ndershëm, që iu kisha dhënë lejet minerare në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi, ma dinin shumë për nder, se nuk iu kisha pirë qoftë dhe një kafe, tani vinin e më takonin në një bar- kafe të lagjes ku qëndroja dhe më sajdisnin.
Më vonë rashë në gjurmë të një projekti ndërkombëtar, për një tender që do të zhvillohej në Kongo, për të vënë në efiçensë një nga minierat më të fuqishme të këtij vendi. Sipërmarrsja amerikane e shoqërisë “Xheonim”, me të cilën kontaktova, pasi i paraqita projektin me të cilin do të konkuroja, më përkrahu dhe më zgjodhi mua për t’u përfaqësuar në këtë tender. Më tha të merrja dhe dy –tre shokë të mi gjeologë të talentuar dhe të shkoja në Kongo. Mora Ilir Alliun, Çerçiz Durmishin dhe Arben Pambukun dhe u nisëm. Në Kongo arritëm më 3 janar 2005.
Miniera ndodhej në Lumubashi dhe ishte një vendburim i fuqishëm për nxjerrje polimetalesh (plumb, zink, pak argjend, pak ar, sasi të vogla galiumi dhe germanium). Miniera ishte 2020 metra e thellë me 2017 hrizonte dhe prodhonte 2 milion ton polimetale në vit.
Zonja Rebeka Kaskini, me origjinë hebreje, ishte një sipërmarrëse e pasur dhe kishte një bankë të të saj në SHBA. Ideja ime ishte që të konkuronim me një projekt spirale, të cilën e patëm përdorur para njëzet viteve në Bulqizë (Qafë Buall). Dikush i kishte thënë zonjës Rebeka se ku i gjete këta shqiptarë, por ajo qe e vendosur dhe nuk u lëkund për asnjë çast në besimin e saj se ne do të fitonim. Dhe shpresat e saj nuk qenë zhgënjyese, për fat të mirë, projekti ynë fitoi dhe unë qëndrova një vit e ca në Kongo, duke drejtuar punimet, ku vërtet lodhesha shumë por ndieja dhe kënaqësinë e vlerësimit të punës nga një pronare që dinte të respektonte njerëzit dhe vlerat.
Me zonjën Kaskini, megjithëse për arsye familjare nuk munda të punoja më gjatë me të, megjithë këmbënguljen e saj, unë edhe sot e kësaj dite kam letërkëmbime, mesazhe, thirrje telefonike dhe një miqësi që ruhet me anë të mjeteve të sotme të komunikimit virtual, edhe pse ajo është aq larg.
Kam punuar dhe në Kanada dhe në vende të tjera të botës, por përvoja në Kongo ka qenë vërtet mbresëlënëse dhe do të doja që të përsëritej edhe një herë në jetën time.

-Me çfarë po merreni aktualisht?

-Gjithmonë me punë dhe kërkime në fushën time, në sektorin e gjeologji minierave. Në bashkëpunim me disa miq dhe bashkëpunëtorë të mi, nën drejtimin e Universitetit Politkenik të Tiranës, kemi kryer disa projkete të rëndësishme për ujin e pijshëm, për naftën, gazin etj dhe të cilat janë me përparësi të madhe ekonomike dhe sociale në vend. Kemi kontaktuar me drejtuesit e qeverisë dhe të shtetit presim që këto projekte, zbatimi i të cilëve do të zgjidhte një herë e përgjithmonë furnizmimin me ujë të pijshëm gjithëkohor të popullatës, gjenin zbatim në praktikë, pasi janë me leverdi të madhe dhe kosto të ulët

Prof. dr. Irakli Premti: Nafta e Dumresë, një bum i sigurt ekonomik për Shqipërinë

Në vitin 2014 një lajm i mirë erdhi për zonën e Elbasanit. Kompania Petromanas Albania GmbH ka njoftuar nisjen e dëgjesave publike me përfaqësuesit lokalë, institucionet dhe komunitetin për kërkimet e naftës sidomos në zonën e Dumresë. Por, nga ajo kohë kanë kaluar tashmë 3 vjet dhe pas dëgjesave nuk ka pasur shpime apo kërkime për naftë në territorin e Dumresë, por edhe në Cërrik e Tregan ku edhe ishte njoftuar.
Gjithsesi studiues të rëndësishëm në këtë fushë deklarojnë se në Dumre ka rezerva të mëdha nafte. Një prej tyre është ish-drejtuesi i Institutit të Gjeologji-Minierave Irakli Premti. Ky i fundit ka përgëzuar Kryeministrin për deklaratat e bëra gjatë Kongresit të Naftës në Stamboll duke kërkuar vëmendje për një prej depozitave nëntokësore më të mëdha të naftës ende e pa zbuluar siç është zona e Dumresë

Prof. Premti, pse jeni i sigurt që në Dumre ka naftë që mund t’i japë një impuls të ri ekonomisë së vendit?
Në zona të ndryshme ku kanë filluar shpimet mbase ka naftë, ndërsa në Dumre është e sigurt që ka rezerva të mëdha nafte, zbulimi dhe shfrytëzimi i të cilave do t’i jepte një impuls zhvillimi jo vetëm fushës së pasurive nëntokësore, por gjithë impaktit ekonomik të Shqipërisë.
Angazhimi i qeverisë shqiptare për ta nxjerrë vendin nga kthetrat e varfërisë, parazitizmit dhe informalitetit, duhet përgëzuar dhe është një shtytje për ne specialistët e sektorëve jetikë e strategjikë të ekonomisë sonë kombëtare, për të vështruar në veten tonë, se çfarë mund të bëjmë për vendin tonë, që të dalim përfundimisht nga kthetrat e tranzicionit të tejzgjatur.
Unë, si specialist i angazhuar, dua të risjell në vëmendjen e strukturave qeveritare dhe të gjithë opinionit shqiptar, rastin e Dumresë dhe potencialin e lartë naftëmbajtës të kësaj treve.
Të gjitha punimet e mia të vjetra e të reja, të gjitha kërkimet prej gati dyzet vitesh, më çojnë në Dumre.
Pra, unë kam gati katër dekada që kam studiuar Dumrenë, duke bërë kërkime të thella, bazuar në përvojën time të gjatë në fushën kërkimore në sektorin e naftë-gazit, mbasi pas kthimit tim nga specializmi në Itali, më emëruan në Institutin e Kërkimit të Naftës dhe këtu kreva shumë studime e kërkime, ku studimet për zonën e Dumresë, për shkak të resurseve të mëdha naftëmbajtëse këtu, mund të themi se mbajnë kryet e vendit. Kur vajta në këtë institut, ish zv/ministri i Industrisë dhe Minierave më tha se tij je petrolog, prandaj do të caktojmë tek nafta, nuk e kundërshtova megjithëse unë nuk jam petrolog, por mineralogjist. Më caktuan siç e thashë në Institutin e Naftës të studioja Dumrenë dhe nisa punën me intensitet, i bindur se kjo zonë naftëmbajtëse, paraqiste një interes të madh për t’i dhënë një bum jo vetëm sektorit të naftës, por gjithë ekonomisë sonë kombëtare.
Nuk mungonte në këtë drejtim studimi dhe përvoja e të tjerëve, veçanërisht studimet italiane dhe ruse, që kanë vënë piketa të forta për shumë zona mineralmbajtëse në Shqipëri dhe që kanë rezultuar mjaft të suksesshme.
Pse të gjitha studimet ju bëjnë të mendoni se kjo zonë ka depozita të mëdha nafte?
Studimi i zonës së Dumresë, si një zonë me kapacitete të larta naftëmbajtëse, më ka tërhequr gjithmonë dhe ka qenë një ëndërr e imja si inxhinier gjeologjie, për të kryer një studim shterues dhe mbi të gjitha punime shteruese në këtë zonë naftëmbajtëse.
Përvoja e sjellë nga kolegët e mi në kohë, nga brezat më të vjetër të inxhinierëve të talentuar të naftës, ishte një nxitje për mua për të studiuar hollësisht Dumrenë, për kërkimin e naftës dhe gazit në këtë zonë. Vajtja në Itali dhe kontakti me rezultatet befasuese të Porto Alegros në Brazil, nëpërmjet kolegëve italianë, më dhanë një impuls dhe shkëndijë për të kërkuar në trevën e Dumresë, në mundësitë që, sipas meje, dhe disa kolegëve të mi, paraqiste kjo trevë në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit. Mbasi u njoha me materialin nëpërmjet literaturës të profesorëve brazilianë që ishin në Itali, ku unë pata rastin të hyj në kontakt me to, vura re që këto studime përkonin e ngjasonin me strukturën naftëmbajtëse të Dumresë. E thënë ndryshe, këto dy struktura ngjasonin si dy pika uji, në kuptimin gjeologjik-strukturor dhe teknonik. Pra, meqë në Porto Alegro kërkimet që lidheshin me evaporitet (gipset) kishin dhënë rezultat befasuese, unë ditë e natë mendoja se ky rezultat mund të aplikohej me metodën e analogjisë edhe në Dumre. Zona e përfytyruar si naftëmbajtëse në Dumre shtrihet në zonën e Shpirag-Dumresë, në një sipërfaqe prej 400 kilometër katror, nga Shpiragu-Berati e deri në Bënjë.
Në vitin 1989, në revistën e mirënjohur shkencore “Buletini i Shkencave Gjeologjike”, në bashkautorësi me Isa Bajon dhe Lufter Bandillin, botuam shkrimin me titull “Strukturat e brezit antiklinal të Beratit si pjesë përbërëse e zonës jonike nuk ndërpriten por mbulohen nga evraporitet e Dumresë”.
Në këtë shkrim, mbi bazën e përgjithësimit të materialit gjeologjik, sizmik e gjeofizik për rajonin e Dumresë dhe të studimeve të artikujve të botuar në atë kohë për zonën jonike e për albanidet nga autorë të ndryshëm, dhamë mendime mbi ndërtimin gjeologo-strukturor të rajonit të Dumresë dhe marrëdhëniet me zonat kufizuese, mbi mekanizmin e ri të formimit të evaporiteve në këtë zonë naftëmbajtëse.
Në fakt ndërsa ju botonit këtë shkrim në Dumre pati shpime?
Pas botimit të këtij shkrimi, nën shembullin e Porto Alegros, kur u ktheva nga Italia mësova se në Dumre, nën referimin e studimit tim dhe të dy kolegëve të mi, Luftar Bandilli dhe Isa Bajo, nga shoqëria angleze PRIMER, kishte filluar kryerja e shpimit të pusit në Dumre, gjë që unë e mora vesh vonë dhe nuk më erdhi mirë që qeveria e asaj kohe dhe strukturat e gjeologji-minierave nuk qenë konsultuar me mua për këtë shpim.  Shpimi i pusit, mbasi kaloi evaporitet (gispet) vajti në thellësinë 6128 metra dhe mbas kësaj thellësie ra në avari të palikuidueshme. Pyetjet enigmë më mbajnë peng edhe sot: si ndodhi që ranë avari të palikuidueshme (për treqind metra nuk u relizua detyra gjeologjike) dhe pse firma nuk e vazhdoi shpimin edhe për treqind metra të ngelura, mbasi ajo kapi shtresën gjeologjke opima-opima?!
Instituti i Naftës dhe specialistët shqiptarë dhanë mendimin e drejtë që të vazhdonte shpimi, por çuditërisht, firma angleze u tërhoq, duke lënë pas një hije misteri dhe enigme, për një nga zonat e menduara si më produktive në naftë e gaz të cilësisë së lartë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Gadishullin Ballkanik.
Pse mendoni se duhet të fillojnë sërish shpimet pas këtij dështimi?
Të gjithë të dhënat, hartat dhe grafikat që shkojnë deri në 500 faqe grafike të shkallëve të ndryshme, më çojnë në përfundimin shkencor se në Dumre ka naftë dhe nuk ka pak, por një sasi të mundshme që shkon deri në 4 milion metra kub gaz vetëm për një shpim, kur sipërfaqja e evaporiteve është 400 kilometra katror dhe imagjinojeni se sa puse mund të hapeshin e sa rezerva të fjetura mund të viheshin në punë. Ky fakt më vuri në dyshim se rënia në avari e pusit nuk ishte një rastësi.
Nga të dhënat sizmke të strukturave të Dumresë, konstatohet se këto nuk kanë qenë të sheshta por të copëtuara tektonikisht dhe ilustrues për këtë është fakti se vetëm struktura e Dumresë është e ndarë me blloqe, njëzet e katër blloqe të thellësive të ndryshme.
Tani, pas kaq kohësh, unë dua t’i rikthehem këtyre studimeve dhe të tërheq vëmendjen e specialistëve dhe të strukturave, sepse, e para: duhet të angazhohet një shoqëri për shpimet në zonën e Dumresë, një shoqëri japoneze ose kineze, qoftë dhe franceze, që të mund ta çojnë deri në fund realizimin e këtij projekti madhor për të ardhmen e naftës dhe gazit në Shqipëri.
E keni konsideruar qysh në fillim një zgjidhje të mirë ekonomike për Shqipërinë. çfarë rruge duhet të ndjekë qeveria?
Imagjinoni se çfarë bumi të fortë ekonomik mund të sillte zbulimi i rezervave të naftës në këtë zonë, rezerva për të cilat ka aq shumë nevojë ekonomia shqiptare për t’u ngritur dhe zhvilluar në këtë kohë krize dhe stanjacioni global.
Në lidhje me të gjitha këto, është e nevojshme që të ngrihet një platformë që merret me shpimet e thella të naftës, ku të angazhohen specialistët më të mirë dhe firmat më serioze se në Dumre ka naftë dhe kjo naftë nuk ka pse të flejë kot në thellësitë e saj.
Duhet ose të rinisë shpimi aty ku ka mbetur, nëse është ruajtur struktura vertikale, ose të nisë një shpim i ri, pasi çfarëdolloj shpenzimi e kostoje në këtë drejtim ia vlen, kur mendon pasuritë e mëdha të arit të zi, që mund të nxirren e të vihen në efiçencë.
Prandaj si specialist i njohur dhe me kontribute në fushën e gjeologji-minierave, nuk mund të hesht  para asaj që di, që kam studiuar dhe për të cilat mbaj përgjegjësi si specialist, si intelektual dhe si shqiptar, ndaj do të doja që të shihet me përparësi nga strukturat qeveritare zona e Dumresë dhe mundësia e ndërmarrjes së një shpimi të ri, që të mund të zbulohet e të dalë në dritë të diellit, për mendimin tim, një nga vend-burimet më befasuese të naftës, me një impakt të fortë në ecurinë dhe zhvillimin e sektorit të naftës dhe të gjithë ekonomisë sonë kombëtare.


.